Nga: Vinela Gjata
Reagimi natyror i trupit ndaj “luftës” me traumën që vjen nga një abuzim seksual mund të ketë efekte negative afatgjata në shëndetin fizik të një personi.
Një studim i fundit i prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës së Menopauzës së Amerikës së Veriut (NAMS), në tetor, zbuloi se një histori e ngacmimit seksual shoqërohej me një rrezik në rritje të presionit të lartë të gjakut, triglicerideve të larta dhe cilësisë së gjumit të dobët. Për të mbijetuarit e abuzimeve seksuale, kishte një rritje të simptomave depresive, ankthit dhe problemeve të gjumit në përputhje me çrregullimet klinike gjithashtu.
Me fjalë të tjera, përjetimi i një ngacmimi seksual kontribuoi në rezultate negative shëndetësore afatgjata për të abuzuarat.
Nga 300 pjesëmarrës të studimit, 19 % raportuan ngacmime seksuale në vendin e punës, 22 % raportuan një histori të sulmeve seksuale dhe 10 % raportuan se i kishin përjetuar të dyja.
Një studim kombëtar mbi ngacmimin dhe sulmin seksual i bere nga organizata Stop Street Harassment, në shkurt 2018, raportoi se 81 % e grave mund të përjetonin një formë të ngacmimit seksual ose sulmit seksual gjatë jetës së tyre.
Qendra Kombëtare e Burimeve të Dhunës Seksuale raporton gjithashtu se 1 në 5 gra do të përdhunohen në një moment të jetës së tyre, 1 në 3 gra do të përjetojnë një formë të dhunës seksuale, dhe gati dy të tretat e studentëve do të përjetojnë ngacmime seksuale.
Kjo do të thotë se ka shumë gra potencialisht të ndjeshme ndaj një mori komplikimesh shëndetësore afatgjata.
Çfarë thonë ekspertët?
Lisa Fontes, një studiuese, aktiviste, autore dhe psikoterapiste amerikane, shprehet se sulmet dhe ngacmimet seksuale konsiderohen të dyja si trauma. Gjatë traumës, trupi lëshon hormone që ndihmojnë një person të përballet me urgjencën.
Trupi lëshon kortizol për të shmangur dhimbjen dhe inflamacionin, i cili nga ana e vet rrit sheqerin në gjak për të na ndihmuar t’i shpëtojmë rrezikut.
Fatkeqësisht, këto përgjigje fizike bëhen afatgjata për shumë të mbijetuar të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale, duke kontribuar në një shëndet të dobët.
Ajo shpjegon gjithashtu se ngacmimi seksual konsiderohet si një “stresues kronik”, sepse zakonisht qëndron edhe me kalimin e kohës. Abuzimi i fëmijëve dhe ai seksual i partnerit intim, gjithashtu shpesh përfshijnë sulme të përsëritura, duke e çuar të mbijetuaren në një gjendje konstante të hiperlertësisë (vigjilencë e lartë).
Edhe një sulm seksual i ndodhur vetëm një herë mund të sjellë pasoja afatgjata ndërsa e mbijetuara përballet me kujtime traumatike që e bëjnë atë të ndjehet sikur po i përjeton fragmentet e sulmit seksual përsëri dhe përsëri.
Për njerëzit që kanë fëmijë, shpesh shihet një shpërthim i traumës kur fëmija arrin moshën që ata vetë ishin në kohën kur ndodhi sulmi seksual. Ose mund të ndodh dhe në momentet kur në televizion apo internet shohin një film që pëmban një histori të ngjashme me të tyren në bazën e së cilës qëndron abuzimi seksual.
Ndikimi më i gjerë i #MeToo
Për shumë gra, lëvizja e fundit #MeToo ka provuar të jetë fuqizuese dhe shëruese. Por për disa, ka rezultuar në ripërjetim të atyre kujtimeve dhe traumës së kaluar në atë periudhë.
Këta persona mund të kenë nevojë të mësojnë mënyra për të menaxhuar ankthin që mund të shkaktohen si pasojë e abuzimit dhe përdorimi i vëmendjes qoftë mediatike apo jo, mund të jetë i dobishëm në luftën e tyre.
Duhet theksuar se fajësimi ndaj lëvizjes #MeToo për faktin se në ditët e sotme po dëgjojmë më shumë raste të sulmeve seksuale, është i pavend. Fajësimi duhet të kthehet në anën e abuzuesve/sulmuesve seksualë dhe vitet që këto ngjarje kanë qënë të heshtura.
Ndihma:
Kur ekspertë në fushën e psikologjisë dhe shëndetësisë u pyeten se çfarë këshille mund t’u drejtohet viktimave që janë duke luftuar me pasojat e shëndetit mendor dhe fizik të përvojave të tyre të kaluara me ngacmime ose sulme seksuale, ata shprehen se: “Të kërkuarit ndihmë thyen heshtjen dhe shkon drejt shërimit”
Nëse aktualisht po luftoni me traumën e abuzimeve seksuale, ne ju sugjerojmë:
- Shikoni nëse qyteti/lagjja juaj ka një grup diskutimi ku mund të bashkoheni.
- Kërkoni të shkoni në seanca psikoterapie.
- Flisni me të dashurit tuaj të besuar se si po ndiheni.
Persona të cilët rikthehen në terapi mund të mos kenë nevojë për shumë seanca, vetëm disa për të kuptuar se si të përballen me peisazhin e ri.
Dhe ju, që mund të keni qënë/jeni viktima të një abuzimi apo dhunë seksuale dhe rrini kokëulur duke mos ia rrëfyer ngjarjen tuaj askujt,
JEPI FUND HESHTJES!
Trupi juaj ju përket vetëm ju e nuk është pronë e askujt tjetër në këtë botë! Mos lejo askënd të ta rrëmbejë! E nëse kjo ndodh.
FOL! RAPORTO! DENONCO!
Ti nuk je një viktimë se vendos ta rrëfesh historinë tënde. Ti je një e mbijetuar duke i vënë flakën botës me të vërtetën tënde. Dhe ti kurrë nuk e di se kush ka nevojë për dritën tënde, për ngrohtësinë tënde, për forcën dhe guximin e pashtershëm tëndin!