Skip to content
Home » Kolla dhe menaxhimi i saj.

Kolla dhe menaxhimi i saj.

Kolla është një refleks mbrojtës i trupit tonë që ka për qëllim të çlirojë rrugët e frymëmarrjes në përgjigje të acarimit nga agjentë dhe substanca potencialisht të dëmshme, si pluhuri, trupat e huaj, tymi, gazrat.

Në përgjithësi kolla shërohet pa trajtime farmakologjike, pas disa ditësh nga shfaqja e saj. Por, kur kolla bëhet kronike mund të përkeqësojë ndjeshëm cilësinë e jetës. Shkaktarët më të shpeshtë të kollës kronike janë padyshim patologjitë që prekin sistemin e frymëmarrjes: astma bronkiale, bronkiti, pneumonia; ose patologji që prekin organe të tjera, të tilla si refluksi gastroezofageal për shembull.

Cilat janë llojet e kollës:

Kolla nuk është sëmundje por simptomë dhe mund të jetë dy llojesh: kollë e thatë ose kollë produktive (me sekrecione).

KOLLA E THATË (JO PRODUKTIVE): përgjithësisht e shkaktuar nga infeksionet virale të cilat në përgjithësi regresojnë spontanisht pa asnjë lloj ndërhyrjeje; shpesh shoqërohet me ftohjen e zakonshme. Kolla e thatë nuk karakterizohet nga sputumi, ajo shpesh manifestohet si një ndjesi shqetësimi ose acarimi në fyt. Mund të jetë shenjë e patologjive organike ose e një reaksioni negativ të shkaktuar nga disa lloje barnash.

KOLLA PRODUKTIVE (ME SEKRECIONE): karakterizohet nga sekrecione mukoze që mund të kenë pamje të ndryshme në varësi të faktit nëse infeksioni është i natyrës virale apo bakteriale. Kolla me sekrecione karakterizohet nga prodhimi i pështymës pak a shumë të dendur. Ndonjëherë pacienti mund të ndjejë ndjesinë e mukusit të fortë në gjoks, pa praninë e pështymës.

Kolla mund të klasifikohet edhe sipas kohëzgjatjes së saj, prandaj mund të flasim për kollën akute, kollën nënakute dhe kollën kronike.

Kolla akute:

Zgjat më pak se 3 javë dhe është karakteristikë e stinës së dimrit, shpesh nuk kërkon ndërhyrje terapeutike. Shkaktarët kryesorë të kollës akute janë agjentë me origjinë bakteriale ose virale si Rhinovirus ose ftohja e zakonshme; ose agjentë të jashtëm, të tillë si tymi pasiv i cigares ose ndotësit irritues të mjedisit, të cilët mund të shkaktojnë inflamacion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe për rrjedhojë sulmet e kollitjes.

Kolla akute e natyrës virale është përgjithësisht një kollë e thatë ose mesatarisht produktive: në këtë rast sputumi ka një ngjyrë të çelur, mund të shoqërohet me dhimbje të fytit, të ftohtë, dhimbje kyçesh dhe shpesh edhe temperaturë mbi 39 gradë. Nga ana tjetër, kolla akute e një natyre bakteriale karakterizohet gjithmonë nga një pështymë e madhe me pamje dhe ngjyra që variojnë nga e verdha jeshile deri në ngjyrën e ndryshkut.

Kolla nenakute:

Zgjat nga 3 deri në 8 javë dhe mund të ndodhë si rezultat i infeksioneve bakteriale, shpesh të karakterizuara edhe nga infeksionet e hundës.

Kolla kronike:

Zgjat më shumë se 8 javë dhe është një paralajmërim i mundshëm i patologjive më serioze si astma bronkiale dhe refluksi gastroezofageal. Shkaqe të tjera që mund të shkaktojnë një kollë kronike janë tymi i cigares, alergjitë, infeksionet e traktit respirator dhe përdorimi i barnave të tilla si frenuesit ACE dhe beta-bllokuesit.

Si ta kuroni kollën:

Qasja më e mirë terapeutike për kurimin e kollës është një terapi që lejon lehtësimin dhe regresimin e simptomave, veçanërisht kur ato ndikojnë negativisht në jetën e pacientit, duke kufizuar aktivitetet e përditshme dhe gjumin.

Medikamentet e kollës ndahen në: Antitusivë, të indikuar për kollën e thatë; Protussive, të indikuara për kollën me sekrecione. Ekziston edhe një kategori e tretë e ilaçeve të bazuara në substanca natyrale, të cilat rregullojnë kollën me mekanizma të ndryshëm veprimi.

Antitusivët mund të veprojnë në mënyrë qendrore ose periferike, megjithatë kanë funksionin e frenimit të stimulit të kollës, duke reduktuar shpeshtësinë dhe intensitetin e sulmeve të kollitjes.

Duke bllokuar stimulin e kollës, parandalojnë eliminimin e çdo sputumi, duke e bllokuar atë në nivel të rrugëve të frymëmarrjes, për këtë arsye duhet të përdoren vetëm në prani të një kolle të thatë, e cila ka zgjatur më pak se 2 javë.

Disa shembuj të frenuesve të kollës janë: Kloperastina me veprim selektiv në qendrën e kollës; levodopropizina, një antitusivë periferik, e cila redukton shpeshtësinë dhe intensitetin e sulmeve dhe zgjimeve të natës.

Pyet mjekun ose farmacistin tuaj për gjëndjen tënde shëndetësore.

error: Permbajtja e Farmaceutika.org eshte e mbrojtur. Ju lutem na kontaktoni nese ju duhet informacion shtese.