Dr. Silvana Sadria, Mjeke Pneumologe
Prane Dispancerise se Semundjeve te Mushkerive Tirane
Pneumonia është inflamacion i indit pulmonar me ndryshime infeksioze me shenja të konsolidimit të lehtë me apo pa shenja radiologjike .
Ka disa ndarje të pneumonive në varësi të shkaktarëve, të vendit etj
Sipas vendit:
- Pneumoni spitalore që shkaktohen kryesisht nga (bakteret)gram negativet.
- Pneumoni jashtë spitalore apo të fituar në komunitet të shkaktuara nga koket apo atipike.
Sipas llojit kemi:
- Pneumonitë tipike: ato që shkaktohen nga pneumokoku, stafilokoku, klebsiella, hemufilus.
- Pneumonitë atipike: Mykoplazma pneumonie, legionela.
Pneumonitë e shkaktuara në komunitet ndahen në disa grupe:
Grupi i parë – pacientë ambulatorë që janë pa sëmundje kardiovaskulare apo faktorë të tjerë modifikues. Kryesisht janë nga streptokoku, mykoplazma, clamidia, hemufilis viruset
Grupi i dytë – Pacientë ambulatorë me sëmundje kardiovaskulare me ose pa faktorë të tjerë modifikues. Shkaktohen nga streptokoku, mykoplazma, clamidia, hemufilis viruset, gram negativet.
Grupi i tretë – Pacientë spitalorë jo në shërbim intensiv.
Grupi i katërt – Pacientë në shërbim intensiv.
Pneumonitë e klasifikimit të grupit të parë apo të grupit të dytë janë më të shpeshtat që mjeku specialist në Dispanceri trajton.
Në përgjithësi këto janë Pneumonitë nga mikrobiene ose koket gram pozitivet ku interesohen alveolat.
Në varësi të mikrobit po rendisim disa nga to:
Pneumonia nga pneumokoku:
Faktorët predispozues për shpërthimin e saj janë:
Ulja e temperaturave të mjedisit, lagështia e tepërt, lodhja fizike, turbullimet metabolike, sëmundjet kronike, helmimet e ndryshme.
Klinika paraqet shenjat e dobësimit të përgjithshëm me dhimbje muskulare që shpesh herë ngatërrohet me gripin, temperaturë 39-40 gradë, dhimbje e kraharorit që shtohet me kollen dhe që është e fortë dhe therëse, kolla e thatë lodhëse por që ndryshon dhe në sekrecione (gëlbazë si ndryshk), dispne (marrje fryme), herpes në buzë.
Shpesh në këtë kategori bëhet fjalë për pneumonitë akute, pneumonitë me ecuri të zgjatur, pneumonitë e pleqve dhe pneumonitë e fëmijëve .
Për përcaktimin e diagnozës duhet që pacienti të paraqitet tek mjeku specialist.
Ekzaminimet kryesore janë:
Ekzaminimi Bakteriologjik: Sputumit (gëlbazës) që vërteton natyrën mikrobiale.
Ekzaminimi Laborotik: Gjak komplet ku vihet re leukocitozë, rritje e eritrosedimentit, rritje e fibrinogjenit apo rritje e PCR.
Ekzaminimi Objektiv: Askultimi (dëgjimi me stetoskop) evidenton rale krepitante.
Ekzaminimi Radiologjik: Hije dense homogjene lobare ose segmentare.
Ndërlikimet :
- Mos trajtimi në kohën e duhur dhe si duhet mund të japë ndërlikime në mushkëri ose jashtë saj.
- Në mushkëri ndërlikimet më të shpeshta janë: Abses, edeme pulmonare, atelektase etj.
- Pleure (cipa e mushkërisë) jep pleurite pra ujë.
- Organe të tjera: në zemër (perikardit, miokardit, endokardit) në veshka (nefrite) etj.
- Çdo grip apo fruth që zgjasin e nuk përmirësohen, ekziston mundësia e ndërlikimit me pneumoni.
Mjekimi përcaktohet vetem nga mjeku:
- Regjim shtrati, dietë me lëngje e me vitamina.
- Antibiotikë
- Mukorregullatorë
- Analgjezik dhe antipiretikë
Pneumonitë nga stafilokoku:
Pacienti që ka pneumoni të shkaktuar nga stafilokoku paraqitet më rëndë se nga pneumokoku. Fillon si grip apo si infeksion i rrugëve të sipërme respiratore ku temperatura është remitente dhe e qëndrueshme, kolla shoqërohet me gëlbazë me ngjyrë të verdhë ndonjëherë dhe me rrema gjaku, dhimbje kraharori.
Përcaktimi i diagnozës dhe mjekimi është i njëjtë si tek pneumonia nga pneumokoku duke marrë parasysh antibiotikët që veprojnë më mirë sipas secilit rast.
Pneumonitë nga Streptokoku :
Fillimi është i menjëhershëm me shenjat që përmendëm më lart shpesh shoqëruar dhe me hemoptizi (gjak nga goja).
Ekzaminimi radiologjik jep gjykim më të saktë për llojin përveç ekzaminimeve laboratorike ku vihet re gjetja e streptolizinave.
Pneumonitë nga legionela (gram negative)
- Ky mikrob jeton në ujë, në tokë, në ajër të kondicionuar (kondicionerët)
- Prek kryesisht të rriturit mbi 50 vjeç apo dhe ata me imunitet të ulur.
- Klinika është e njëjtë me fillimet e Pneumonisë akute por që i shtohen dhe turbullimet digjestive apo dhe ato neurale me agjitacion apo delire.
- Pavarësisht nga lloji i Pneumonisë pacientët duhet ti drejtohen mjekut për përcaktimin e diagnozës dhe të zbatojnë këshillat e tyre.
Kujdesi:
Të sëmurët me pneumoni duhet të bëjnë kujdes për:
Duhet të mbulojnë gojën dhe hundën me një shami, që të mbrojnë të tjerët kur kolliten ose teshtijnë.
Të lajnë duart rregullisht për të shmangur transferimin e mikrobeve tek njerëzit apo objektet përreth.
Duhet të bëjnë regjim shtrati si dhe duhet të kenë një dietë ushqimore të pasur me proteina si shtazore dhe bimore, pra të konsumojnë mishin e viçit, peshkun, mishin e pulës. Sa më shumë supëra me perime të freskëta kryesisht, lakër, lulelakër, brokoli, bizele, misër, thjerrza, karrota, rrepa etj. Gjithashtu duhet të pinë sa më shumë lëngje dhe të konsumojnë fruta të thata dhe drithëra.
Nuk duhet të pinë duhanin!
Vaksinimi në pacientët mbi 65 vjeç apo dhe te ata nën 65 vjeç pa e me sëmundje kronike.
Vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të vaksinimit por dhe i vaksinave sezonale sidomos tek fëmijët me sëmundje kronike si astma.