Skip to content
Home » Kura natyrale për konjuktivitin:

Kura natyrale për konjuktivitin:

Konjuktiviti është një inflamacion i konjuktivës, membranës mukoze të hollë dhe transparente që mbulon sipërfaqen e përparme të syrit (përveç kornesë) dhe zonën e brendshme të qepallës.

Është një patologji e shpeshtë, e cila mund të shfaqet në formë akute ose kronike.

Për shkak të pozicionit të saj, konjuktiva është veçanërisht e ekspozuar ndaj agjentëve të shumtë të jashtëm të cilët mund të shkaktojnë dëme.

Shkaqet e konjuktivitit:

Inflamacioni i konjuktivës mund të varet nga faktorë të ndryshëm si bakteret, viruset ose myku (kërpudhat). Konjuktiviti mund të shkaktohet nga alergjitë ose irrituesit. Ekziston edhe konjuktiviti nga syrit i thatë i cili mund të ndodhë si rezultat i ndryshimeve hormonale, marrjes së barnave të veçanta ose në pleqëri.

Simptomat e konjuktivitit:

Simptoma e parë e konjuktivitit është skuqja e fortë e syrit me sekretim të shtuar, kruajtje dhe ndjesi të trupit të huaj (si rëra) brënda në sy, të shqetëson drita dhe kemi ënjtje të qepallave.

Kur preket edhe kornea, flasim për keratokonjuktivit, i cili gjithashtu shkakton dhimbje.

Nëse konjuktiviti është me origjinë bakteriale ose virale, sekrecioni është purulent për shkak të pranisë së qelbit dhe për këtë arsye syri shfaqet “ngjitës” në mëngjes me qepallat duken “të ngjitura”.

Shumicën e kohës ky lloj konjuktiviti prek vetëm njërin sy dhe më pas përhapet shpejt në tjetrin.

Konjuktiviti i tipit alergjik, i karakterizuar nga kruajtje veçanërisht intensive, i shoqëruar me lot dhe shqetësim në dritë, zakonisht shfaqet në të dy sytë.

Më pas kemi konjuktivit irritues që mund të shkaktohet nga shampoja, uji me klor në pishinë, tymrat apo pluhurat në përgjithësi apo edhe nga fërkimi i qerpikëve me konjuktivën.

Parandalimi i konjuktivitit

Një rol të rëndësishëm në trajtimin e konjuktivitit luan parandalimi.

Ka disa rregulla që unë si farmaciste ju këshilloj të ndiqni për të parandaluar përhapjen:

  1. Para së gjithash, mos i prekni sytë me duar (të cilat duhen larë shpesh);
  2. është gjithashtu e rëndësishme të ndërroni peshqirët dhe këllëfët e jastëkëve çdo ditë dhe të mos i ndani me askënd.
  3. Gjithashtu këshillohet që të mos përdorni lente kontakti kur syri është i prekur nga konjuktiviti.

Kura klasike për konjuktivitin

Trajtimi i konjuktivitit është përgjithësisht lokal me aplikimin e pikave të syve ose pomadave të bazuara në antibiotikë ose barna antivirale (përsa i përket konjuktivitit infektiv) dhe antihistamines ose kortikosteroideve për trajtimin e konjuktivitit alergjik.

Ndonjëherë kjo terapi shoqërohet edhe me pika në sy me veprim antiinflamator, por mjekimin për situata të agravuara dhe për sy të acaruar gjithmonë e vendos mjeku okulist pas një vizite të detajuar për të parë llojin e infeksionit.

Konjuktiviti i syrit të thatë trajtohet me përdorimin e lotëve artificialë të cilat lehtësisht i gjeni në farmaci në forma të ndryshme farmaceutike, flakon, flakon monodozë apo pomada me bazë acidi hyaluronic.

Kura natyrale për konjuktivitin.

Së pari bëhet pastrimi i palpebrave me shkumë ose kompresa sterile me bazë kamomili që gjënden në farmaci. Për të dekongjestuar syrin e prekur nga konjuktiviti, mund të përdoren pika për sy me bazë kamomilin dhe eufrazinë.

Përdoren edhe vajra esencialë si vaji esencial i limonit (8 pika në 50 ml ujë të distiluar steril) për t’u përdorur në kompresa me garzë sterile në sy.

error: Permbajtja e Farmaceutika.org eshte e mbrojtur. Ju lutem na kontaktoni nese ju duhet informacion shtese.
Exit mobile version