Skip to content
Home » Gabimet që nuk duhen bëre gjate HEQJES SE PELENES dhe kur fëmija është gati?

Gabimet që nuk duhen bëre gjate HEQJES SE PELENES dhe kur fëmija është gati?

Nuk e di sa herë mund ta kesh dëgjuar pyetjen: S’ia ke hequr ende pelenën? Fëmija im e ka hequr që x muajsh!

Ndërkohë që është e vërtetë që disa fëmijë e heqin herët dhe pa rezistencë, por akoma më shumë e vërtetë është se disa fëmijë refuzojnë të ulen në tualet, nuk tregojnë kur duhet të kryejnë nevojat, ose pikërisht atëherë kur ju menduat se ia dolët, nisin aksidentet dhe lagia e të mbathurave diten dhe naten.

Nëse ti sheh me kujdes shenjat që të jep fëmija dhe nuk e bën këtë proces më herët (apo ndoshta më vonë) nga sa duhet, gjasat që t’ia dilni me sukses janë të mëdha!

Atëherë po i përmbledh shkurt :

Zhvillimi Fiziologjik:

  • Nuk bën nevojën natën
  • Del jashtë në mënyrë të rregullt dhe të parashikueshme
  • Pelena është e thatë për 2 orë ose pas gjumit të drekës.

Shenjat Motorike:

  • Mund të ecë dhe të ulet
  • Ka aftësinë të ngrejë dhe ulë pantallonat

Shenjat konjitive dhe verbale:

  • Tregon nevojën për të shkuar në tualet nëpërmjet gjuhës verbale/joverbale
  • Ndjek udhëzime të thjeshta
  • Mund të vendosë lodrat dhe sendet e veta në vendet përkatëse
  • Të tregon kur ka ndotur pelenën

Shenjat emocionale dhe sociale:

  • Mund të rrijë ulur në një vend për 2-5 minuta
  • Kërkon të veshë mbathje ose të ulet në oturak Imiton sjelljet e prindërve
  • Tregon interes ndaj tualetit
  • Tregon pavarësi dhe përdor fjalën “Jo”

Gabimet më të shpeshta gjatë heqjes së pelenës


Niset më herët nga sa fëmija është gati. Kjo mund të vijë si pasojë e presionit shoqëror apo familjar (psh gratë më me eksperiencë thonë se dikur ky process bëhej shumë më herët). Të mos harrojmë se në ditët e sotme gratë janë më të zëna në punë dhe kanë më pak kohë t’i dedikojnë kohën e duhur këtij procesi, por gjithashtu kemi më shumë informacion dhe e respektojmë momentin kur fëmija është gati, jo kur mendon halla ose tezja se duhet hequr. Kjo nuk është garë!

Vendosja e kufirit kohor:


Do ishte ideale t’iu thoja se në 2 ose 3 javë do ia dalim, por nuk zgjat gjithmonë aq. Mos harroni se kemi të bëjmë me fëmijë 2-3 vjeç dhe dëshirën e tyre për të qenë të pavarur, prandaj shumë prindërve u duket aq i vështirë ky proces. Mos i shto kot stresin vehtes, prit progres me kalimin e kohës, nuk kërkojmë perfeksion.

Reagimi ndaj aksidenteve:


E mban mend kur fëmija yt sapo lindi dhe ia nisi vrapit? Sigurisht që jo! U deshën muaj e muaj të mësonte të rrinte barkazi, pastaj të rrinte ulur, më pas të zvarritej, të mbahej pas divanit, te ecte e në fund mësoi të vraponte. Sa kohë dhe sa të rëna iu deshën para së të mësohej?
E njejta që vlen për heqjën e pelenës. Normalisht që do ndodhë lagia e të mbathurave. Ndoshta u përfshi në lojë, ndoshta piu më shumë lëngje se hërët e tjera, ndoshta nuk ia doli në kohë. I rëndësishëm është toni yt i zërit: autoritar, por neutral. Gjithashtu, mos thuaj: “S’ka gjë.”
Sigurisht që ka gjë. Ti do thuash: Mama, bëre çiçin/kakën këtu(në dysheme, në pantallona). Çiçi/kaka bëhet në tualet. Hajde ta pastrojmë.

Rregullat bazë:


Përdor fjalor pozitiv mbi nevojat e fëmijës. Fjalët: erë e keqe, qelbet, e shpifur etj nuk duhet të përdoren.
Vishi fëmijës pantallona që t’i heqë lehtë (jo pulla apo lidhëse të komplikuara)
Përdorni lëngje dhe fibra që fëmija të defekojë lehtësisht
Nëse përdorni përshtatëse tualeti dhe jo oturak, sigurohu t’i vendosësh një stol që të mbështesë këmbët. Është shumë e rëndësishme pasi e ndihmon të dalë jashtë më lehtë.
Bisedoje me bashkëshortin mbi procesin që do nisni. Ai duhet të jetë i përgatitur mbi cfarë do ndodhë muajt në vazhdim dhe të mos reagojë i habitur kur t’i kërkosh të ndaloni diku në
autostradë sepse erdhi momenti i çiçit.

Disa sekrete:


Shumë konsulentë të heqjes së pelenës aplikojnë metodën e shpërblimit gjatë trajnimit (dmth nëse fëmija kryen nevojat në oturak ti e shperblen me një karamele ose cokollatë).

Gjithësesi,do të të këshilloj të ndjekësh intuitën. Ti e njeh fëmijën tënd më mirë se të gjithë. Nëse mendon se do funksionojë, mund ta provosh. E rëndësishme është të jepet direkt pasi arrihet sjellja e dëshiruar (pasi më vonë fëmija nuk e bën dot lidhjen e veprimit me shpërblimin) dhe t’i reduktosh dalëngadalë.


Krijoni një rutinë:


Shkoni në tualet pasi zgjohet, pasi ha ose pi, pasi rri ulur për një kohë të gjatë, para se të dilni nga shtepia, pasi vini në shtëpi.
Para se të nisni trajnimin, sigurohuni që fëmija të bëjë një gjumë të qetë dhe të rregullt. Një fëmijë që nuk fle mirë, mund të grindet dhe të refuzojë të përdorë tualetin më shumë se një fëmijë që ndihet i çlodhur.
Nëse keni djalë, mësojeni fillimisht të urinojë ulur e më pas mund të mësojë në këmbë.
Nëse ndodh një aksident, çoje gjithësesi në tualet të ulet e të përfundojë urinimin (edhe po nuk bëri gjë, rëndësi ka të bëhet lidhja në mendjen e tij).

error: Permbajtja e Farmaceutika.org eshte e mbrojtur. Ju lutem na kontaktoni nese ju duhet informacion shtese.