Skip to content
Home » Bimët shtëpiake 3 përfitime shëndetësore:

Bimët shtëpiake 3 përfitime shëndetësore:

Nga: Vinela Gjata

Bimët shtëpiake nuk duken vetëm estetikisht të këndshme, por ato mund të rrisin mirëqenien tuaj mendore dhe fizike gjithashtu. Farmaceutika.org ju tregon si:

Pavarësisht se mund të jeni të rinj në kopshtari apo keni qenë një entuziast prej kohësh i bimëve shtëpiake, ky hobi praktik ka disa përfitime që ndikojnë pozitivisht mbi shëndetin tuaj. Nuk është për t’u habitur që ka pasur një rritje në mbajtjen e bimëve të ndryshme në ambientet e brendshme të shtëpisë gjatë pandemisë së COVID-19. Shumë prej nesh, duke kaluar kaq shumë kohë në shtëpi, përpiqemi të gjejmë mënyra nga më të ndryshmet për të pasuruar mjediset tona dhe për të zënë kohën tonë të lirë.

3 përfitime shëndetësore që sjell rritja e bimëve në ambientet e brendshme të shtëpisë suaj: 

Bime te bukura
  1. Ato mund të zvogëlojnë ndotësit e ajrit të brendshëm

Një studim i mirënjohur i kryer nga NASA arriti në përfundimin se rrënjët dhe toka e bimëve shtëpiake, zvogëlojnë përbërjet organike të paqëndrueshme që shkaktojnë kancer (VOCs). Gjatë fotosintezës, bimët “thithin” dioksidin e karbonit dhe “nxjerrin” oksigjenin. Por, kur bimët thithin dioksid karboni, ato gjithashtu po marrin ato ndotës të gjendur në ajër teksa lëshojnë oksigjen të pastër.

Ndërsa një pastrues ajri mund të jetë zgjedhja më efektive në raste të caktuara, nëse kërkoni të freskoni natyrshëm ajrin në shtëpinë tuaj, shtimi i një bime shtëpiake me gjethe të mëdha, është një pikë e shkëlqyer për të filluar. Cilësia më e mirë e ajrit gjithashtu mund të çojë në një pushim më të mirë gjatë natës. Bërja e një gjumi cilësor ndihmon në mbajtjen e sistemit tuaj imunitar në formë, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës si dhe përmirëson kujtesën tuaj.

2. Bimët mund të jenë terapeutike

Hulumtimet kanë treguar se puna me bimët dhe të qenurit pranë tyre mund të ndihmojë në uljen e stresit psikologjik. Kjo përkthehet në lehtësim të ndjenjave të ankthit dhe zvogëlim të stresit.

Tendenca ndaj bimëve është provuar të jetë veçanërisht e dobishme për ata persona që vuajnë nga shëndeti mendor. Në fakt, terapia hortikulturore shpesh përdoret për të ndihmuar në rritjen e ndjenjave të mirëqenies fizike dhe mendore midis njerëzve që kanë gjendje të tilla si: depresioni, ankthi dhe humbja e kujtesës. Studimet tregojnë gjithashtu se kalimi i kohës me dhe në natyrë përmirëson presionin tuaj të gjakut, rrahjet e zemrës suaj dhe nivelet e hormoneve të stresit, të cilat përfitojnë mirëqenien tuaj fizike.

3. Ato mund të rrisin shëndetin tuaj mendor

Studimet kanë treguar se kalimi i kohës në natyrë të tilla si: ecja, shëtitja apo vizita në një park, mund të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit tuaj mendor. E njëjta gjë vlen edhe për kopshtarinë e brendshme. Të qenit në ato hapësira të gjelbërta mund të ndihmojë në përmirësimin e humorit tuaj ditor. Përveç kësaj, akti i vënies së kohës në dispozicion të kujdesit për bimët e shtëpisë dhe të parit të tyre teksa rriten e lulëzojnë, mund të ngjall një ndjenjë krenarie dhe arritjeje tek ju. Ndjenja të cilat mund t’ju çojnë drejt përmirësimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies. 

Ekziston gjithashtu edhe një aspekt shoqëror në kopshtarinë e brendshme. Sapo të filloni të ndërtoni koleksionin tuaj të bimëve, ju mund të grumbulloni dhe shkëmbeni biseda të bukura e me gjallëri me familjen dhe miqtë tuaj. Duke mundësuar kështu një socializim më të mirë dhe daljen nga zona juaj e komfortit.

Bime shtepiake

Bimë shtëpie për fillestarët:

Nëse jeni i ri në kopshtarinë e brendshme, ose shqetësoheni se nuk keni mjaftueshëm njohuri për kujdesin ndaj një bime që rritet në hapësirat e brendshme të shtëpisë, këto bimë janë të lehta për tu kujdesur dhe të shkëlqyera për fillestarët:

  1. Pothos
  2. Bima e gjarprit
  3. Bimë kineze me gjelbërim të përjetshëm 
  4. Bimë ZZ

Gjërat për t’u marrë parasysh para se të blini bimë që rritet në ambiente të mbyllura:

Para se të vendosni të krijoni kopështarinë tuaj të brendshme, është një ide e mirë të bëni një hulumtim së pari. Këtu janë disa gjëra që do të doni të merrni parasysh para se të blini një bimë të tillë: 

Kërkesat e dritës: Nëse nuk keni shumë dritë natyrale në shtëpinë tuaj, mund të zgjidhni një bimë e cila mund të lulëzojë në një mjedis me intesitet drite të ulët.

Nevojat për ujitje: Uji i tepërt mund ta vrasë bimën tuaj, prandaj, sigurohuni që të dini sa ujë i nevojitet dhe sa shpesh duhet ta ujitni atë. Ka forume shoqërore dhe madje edhe aplikacione që mund të shkarkoni dhe që mund t’ju ndihmojnë.

Dëmtuesit: Bimët shtëpiake mund të sjellin dëmtues në shtëpinë tuaj. Sigurohuni që të bëni disa hulumtime dhe të kontrolloni bimët tuaja për shenja të dëmtuesve, në mënyrë që të veproni menjëherë.

Niveli i angazhimit tuaj: Nëse nuk keni shumë kohë për t’u kujdesur për bimët e shtëpisë tuaj, zgjidhni ato që konsiderohen si “bimë me mirëmbajtje të ulët”.

Disa bimë mund të jenë gjithashtu të rrezikshme për kafshët tuaja shtëpiake dhe fëmijët e vegjël, kështu që bëni kërkimet e duhura para se të blini një të tillë. Kur keni dyshime, vendoseni bimën aty ku kafshët shtëpiake ose fëmijët nuk mund ta arrijnë dot.

Pra, ja tek e keni zgjidhjen! Nëse jeni duke kërkuar për një hobi të ri, kopshtaria në ambiente të mbyllura mund të jetë e duhura për ju. Ju mund të korrni disa përfitime të mira shëndetësore nga ajo, gjithashtu.

Lexo edhe:

error: Permbajtja e Farmaceutika.org eshte e mbrojtur. Ju lutem na kontaktoni nese ju duhet informacion shtese.