Skip to content
Home » Roli i mjekësisë ligjore dhe autopsia e kufomës: Nga dr. Dorian Meta

Roli i mjekësisë ligjore dhe autopsia e kufomës: Nga dr. Dorian Meta

Dr. Dorian Meta , Pedagog:

Mjekësia ligjore mund të përkufizohet si shuma e njohjeve biologjike-klinike në lidhje me njeriun të perceptuara apo aplikuara brenda të gjithë sistemit të drejtësisë.

Me fjalë të pakta, mjekësia ligjore është pika e takimit të dijes mjekësore dhe asaj juridike, vjen si rrjedhojë atëherë, të kuptohet qartazi dhe vartësia e kësaj dege, e cila është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Mjekësia ligjore në ditët e sotme gjithmonë e më shumë bëhet një aspekt themelor në ndihmën qoftë të ligjit, qoftë dhe të shkencës. Arsyeja është e thjeshtë, pasi mjekësia ligjore ka pasur një zgjerim të konsiderueshëm në sektorë të ndryshëm, si për shembull: etika mjekësore dhe bioetika, dëmtimet traumatologjike forense, ematologji dhe imunoematologji forense, toksikologji forense, balistika forense, kriminologjia klinike, psikiatria forense, tanatologji, identifikimi personal, përgjegjësia profesionale dhe vlerësimi i dëmit të personit në përgjegjësitë civile.

Në koncepte më specifike, shenja e domosdoshme për praninë e mjekut ligjor ka të bëjë me peritin dhe konsulencën teknike, të cilat lidhen me atë që thamë më sipër, me aspektet juridike, penale dhe civile. Kjo zgjeron fushën e aplikimit të mjekësisë ligjore, duke e zgjeruar këtë të fundit në: Mjekësi ligjore penaliste dhe Civiliste.

Departamenti i mjekësisë ligjore balancohet nga rregulla themelore kundrejt të cilave mjeku ligjor duhet të jetë strikt, si për shembull: Principi i objektivitetit i imponon secilit funksionar mjeko-ligjor që të jetë në mënyrë të përpiktë sa më shumë afër të vërtetës, qofshin këto të dhëna klinike, tanatologjike apo vlerësime strumentare të bëra në laborator. Vlerësimi empirik dhe i padiskutueshëm i këtyre të dhënave dhe përfundimi i vlerësimeve duhet të kenë bazë dhe motivime logjike të prekshme që të kenë akses në shenja dhe të dhëna, ku objektiviteti duhet gjithmonë të jetë i pranishëm. Kjo diferencon mjekësinë ligjore nga degët e tjera të mjekësisë, pasi funksionari mjeko-ligjor në kërkimin e tij shkencor është i kondicionuar nga “Prova”, që do të thotë: nuk mund të shndërrojmë dyshimin në vërtetësi dhe anasjelltas.

Aspekti i dytë është dominanca e njohjes së raportit juridik, e cila bën që mjeku i mjekësisë ligjore të orientojë kërkimin e tij duke pasur gjithmonë parasysh normat juridike që hap pas hapi mund të prezantojë çështja në diskutim.

Autopsia, mjekesia ligjore

Aspektet e mjekësisë ligjore, si dhe rëndësinë e tyre mund t’i ndajmë:

  1. Në raportin e arsyes
  2. Vlerësimi i lidhjes së arsyes.

Çfarë ndodh në detaje:

Aspekti i parë është themelori dhe problemi më i rëndësishëm ndaj të cilit mjeku ligjor duhet jo vetëm të përballet, por duhet të japë dhe të bëjë një vlerësim të kësaj. Kjo bën që shpeshherë këtij të fundit i kërkohet që të vlerësojë se një event biologjik (vdekje) të jetë rrjedhojë e një fakti (vdekje spontane) apo e ardhur si pasojë e një reagimi njerëzor (vrasje).

Duhet të perceptohet ky raport si një zinxhir ku çdo hallkë i transmeton asaj ngjitur një impuls për të arritur një përfundim të saktë, për të vërtetuar faktin apo dëmin e krijuar.

Aspekti i dytë: i lidhjes së arsyeshme është kur kërkimi ka si arritje finale , identifikimin e arsyeve që mund të sjellë një dënim ndaj individit dhe bazohet në analiza të dyfishta raporti:

1-Raporti juridiko-material ose anatomo patologjik

2-Raporti psikik

Për të kaluar nga përgjegjësitë juridike tek ato klinike, mjeku ligjor është funksionari që vërteton vdekjen dhe arsyet e saj dhe më pas mund të marrë pjesë drejtëpërdrejt ose jo në zhvillimin e autopsisë. Vdekja mund të përshkruhet si përfundimi i të gjithë aktiviteteve biologjike të një individi në jetë.

Ka fillimin e saj në ndërprerjen totale të tre funksioneve:

  1. Kardiake
  2. Respiratore
  3. Nervore Domethënë vdekje klinike-reale-ligjore

Si rrjedhojë, rëndësia primare nga pikëpamja mjeko-ligjore është momenti i fillimit, domethënë ai i vdekjes, ku personi fizik shndërrohet në kufomë dhe humbet kapacitetin e tij juridik.

Ekzistojnë vlerësime kohore të ndryshme për vërtetësinë e vdekjes:

  1. Për të rritur dhe fëmijët me moshë mbi 5 vjeç / 6 ore
  2. Për fëmijët nga 1-5 vjeç/12 orë
  3. Për fëmijët nën moshën 1 vjeç/ 24 orë

Bërë ky vlerësim, vërtetohet dhe dokumentohet vdekja e pacientit, si dhe regjistrimi i tij në regjistrin e vdekjeve.

Kjo që sapo thamë bëhet me urdhër të autoritetit shëndetësor ku përfundimi i vetëm është tërësisht klinik. Kurse autopsia është e urdhëruar nga prokuroria, policia gjyqësore apo mjeku i familjes kur secili nga këta të tre ka paqartësi në arsyet e vdekjes.

Autopsia është: Një vlerësim teknik jo i përsëritshëm ku duhet mbajtur nën vëzhgimin e palëve të interesuara, në plotësimin strikt të një verbali autoptik, ku duhet të përshkruhen me saktësi të rrepte të dhënat anatomo patologjike të mbledhura nga organet e brendshme dhe të jashtme, ku si rrjedhojë formulohet diagnoza mjeko ligjore tek arsyeja, mjetet, mënyra dhe koha e vdekjes.

Prokurori dhe policia gjyqësore kërkon autopsi kur ka:

1-Vrasje ose dyshim

2-Vetëvrasje

3-Vdekje e improvizuar

4-Dhunë / Torturë

5-Keqshërbim shëndetësor

6-Aksidente-punë/shtëpi/rrugë

7-Vdekje në burg apo për ushtrim dhunë nga policia

8-Kufoma të paidentifikuara apo mbetje skeleti

Kurse mjeku i familjes kërkon autopsi kur ka paqartësi në ecurinë e sëmundjes apo të një kërkimi kundrejt një sëmundje gjenetike për të bërë parandalim në familje. Mund të kuptojmë qartazi pse sot shoqëria jonë e ka ende të vështirë konceptin e autopsisë dhe si rrjedhojë mosndërgjegjësimin ndaj saj, pasi kjo e fundit, qoftë për aspekte ideologjike apo fetare, perceptohet si një dhunë ndaj individit, e patolerueshme kundrejt familjarit. Këto aspekte rrëzojnë dhe përbuzin arsyen e vërtetë të autopsisë: dhënien e saktë të një përgjigjeje, arsyen e vdekjes.

Si shërohen plagët? Ndihma e parë në shtëpi.
Kujdesi i duhur për plagët është thelbësor për të parandaluar infeksionet dhe …
3 këshilla për shëndetin e zemrës:
Një zemër e shëndetshme është thelbësore për një jetë të gjatë. Ky …
Humbja e oreksit tek fëmijet. Sugjerimi ynë.
Ka periudha të vitit kur lodhja dhe nervozizmi pushtojnë të vegjlit tanë. …
3 këshilla për perdorimin e aerosolit tek bebet dhe fëmijët
MSc. Silvana Crroj, Farmaciste Terapia me aerosol tek të porsalindurit ofron disa …
error: Permbajtja e Farmaceutika.org eshte e mbrojtur. Ju lutem na kontaktoni nese ju duhet informacion shtese.